Infarkti, ataku në zemër, arresti kardiak, iktus… Shpesh këto terma përdoren për të indikuar një problem shëndetsor pak a shumë të njëjtë. 
Keni pyetur ndonjëhere veten se cili është në të vërtetë ndryshimi mes tyre? Të diturit e kësaj përgjigjeje nënkupton edhe njohjen e simptomave me të cilat, këto situate shëndetësore manifestohen dhe kështu është e mundur ndërhyrja në kohë, që shpesh herë bën diferencën mes jetës dhe vdekjes.

Çfarë është infarkti (apo ataku në zemër)?
Kur përdorim këtë fjalë, bëhet fjale për infarktin e miokardit, ose për nekrozën (vdekjen) e një pjese të muskulit kardiak, miokardit. Kjo ndodh për shkak të një mungese të zgjatur të furrnizimit me gjak, që pothuajse gjithmonë ndodh për shkak të bllokimit të një prej arterieve koronare. Bllokimi i arterieve mund të jetë tranzitor, parcial ose total dhe mund të shkaktojë dëme të ndryshme. Simptoma më e shpeshtë është dhembja e fortë torakale (në gjoks), që përhapet shpejt drejt shpatullës dhe gjymtyrëve të majtë. Edhe në këtë rast, ajo që bën ndryshimin është shpejtësia e ndërhyrjes dhe ndihmës së parë mjekësore.

Çfarë është arresti kardiak?
Bëhet fjalë për një keqfunksionim të papritur kardiak dhe në pjesën më të madhe të rasteve shkaktohet për një mosfunksionim elektrik që shkakton një alteracion të fortë të ritmit të rrahjes kardiake dhe bën joefikase aftësinë e saj mekanike. Është më i rëndi nga rastet e paraqitura, pasi koha për të ndërhyrë për rianimimin kardiopulmonar, për të shpëtuar të rrezikuarin dhe për t’i evituar dëmtime në tru, është shumë e vogël, maksimumi 10 minuta. Për fat të keq, në momentet e para arresti kardiak nuk ka simptoma të dallueshme, edhe pse në disa raste i rrezikuari vë re rrahje të shpeshta zemre, marrje mendsh, frymëmarrje të çrregullt, dhembje në gjoks. Pra, gjithçka varet nga shpejtësia e ndërhyrjes.

Çfarë është iktusi?
Iktusi, në ndryshim nga infarkti dhe arresti kardiak, ka të bëjë më shumë me trurin. Bëhet fjalë për një qarkullim jo të mjaftueshëm të gjakut në tru, i cili shkakton vdekjen e qelizave. Dallohen dy lloje iktusi: ai, i cili njihet ndryshe si ishemia, që shkaktohet nga mungesa e furnizimit me gjak, dhe ai hemoragjik, që shkaktohet nga furnizimi i tepërt me gjak. Simptomat mund të jetë tranzitore ose të përhershme dhe konsistojnë zakonisht në pamundësinë e papritur për të lëvizur një pjesë të trupit, probleme me të folurin apo humbje të shikimit. Faktori primar i rrezikut të iktusit, është hipertensioni.