Të nderuar miq, të ftuar dhe përfaqësues të Federatës!
Ju falënderoj për ftesën dhe ju përgëzoj për nismën që keni marrë, për të çertifikuar vrojtuesit e parë të plazheve shqiptare. Një nismë që vjen në momentin e duhur, ndoshta jemi vonë, duke parë ngjarjet e ditëve të fundit. Por kjo që ju po bëni sot dhe keni disa muaj që keni nisur, ju nderon, pasi ju do të bëheni heronjtë e vërtetë të plazheve shqiptare, të cilat sot, nga Velipoja në Ksamil e më gjerë, kanë shumë nevojë për njerëz të kualifikuar. Njerëz që vënë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetën e pushuesve dhe jo vetëm.
Qëllimi është rritja e sigurisë në plazhet tona të mrekullueshme, që tërheqin çdo vit gjithnjë e më shumë pushues, ndaj duhet t’i mbrojmë e promovojmë ato si të sigurta. Ashtu sikurse rritet numri i pushuesve do të rritet edhe numri i vrojtuesve të plazhit, që do të jenë “ëngjëjt tanë mbrojtës”, të cilët do të vijnë duke u shtuar nga viti në vit. Ndaj kjo nismë që ka ndërmarrë Federata e Vrojtuesit të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë është shumë e rëndësishme për të patur plazhe të sigurta, duke respektuar rregullat e normat. Të gjithë ne duhet të japim kontributin tonë për të promovuar dhe mbështetur këtë Federatë, këto nisma, për të shpëtuar jetë njerëzish dhe për të qenë më të sigurt kudo që pushojmë.
Sot janë të pakta kullat e vrojtimit në plazhet tona e ndoshta ato nuk mjaftojnë për të mbuluar këtë fluks të madh pushuesish gjatë muajve të verës, ndaj të gjithë duhet të impenjohemi që njerëzit që merren me këtë punë të ndihen të vlerësuar, të mbështetur, t’i inkurajojmë dhe ndihmojmë. Duhet të shtojmë masat e sigurisë në plazhet tona dhe trajnimi i këtyre njerëzve është vetëm hapi i parë, por shumë i rëndësishëm për t’u ndjerë të sigurt gjatë pushimeve. Duhet të punojmë që kullat e vrojtimit në plazhe të jenë sa më të shumtë, në të gjitha plazhet shqiptare.
Komiteti Olimpik Kombetar Shqiptar (KOKSH) është gati të mbështesë Federatën me të tjera nisma e trajnime, pasi misioni juaj është fisnik dhe i rëndësishëm, pasi shpëton jetë njerëzish. Ndaj dhe ndihem krenar që jam sot mes jush dhe veçanërisht pranë këtyre shpëtimtarëve të ardhshëm, që do të kthehen në heronjtë tanë. Ju përgëzoj për nismën dhe ju falënderoj që do t’i bëni plazhet tona më të sigurta.
Ju faleminderit!