Të nderuar miq dhe përfaqësues të Federatës
Më vjen mirë që brenda një kohë kaq të shkurtër Federata juaj ka bërë një hap të madh përpara në trajnimin dhe licensimin e një grupi tjetër personash, që do të vrojtojnë, monitorojnë dhe ruajnë plazhet tona. Ju keni bërë një punë të madhe për t’i bërë plazhet tona më të sigurta, nga veriu në jug, ku pushuesit e shumtë që do të vijnë të ndihen edhe më të qetë. Ashtu sikurse rritet numri i pushuesve më vjen mirë të shoh dhe të them se po rritet edhe numri i vrojtuesve të plazhit, që sic e kam thënë edhe më parë, janë “ëngjëjt tanë mbrojtës”.
Qëllimi është rritja e sigurisë në plazhet tona, që nga viti në vit tërheqin gjithnjë e më shumë pushues, ndaj dhe është detyra juaj dhe e jona është që t’i bëjmë ato sa më të sigurta. Ndaj këto seminare dhe ky numër gjithnjë e në rritje i vrojtuesve, kjo punë e madhe që është duke bërë Federata e Vrojtuesit të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë, është shumë e rëndësishme, pasi i bën plazhet tona më të sigurta, duke respektuar rregullat e normat. Për këtë ju përgëzoj.
KOKSH ka qenë dhe mbetet gjithnjë një partner i rëndësishëm i Federatës tuaj dhe ne jemi gati për t’ju mbështetur në këto trajnime, që të bëhen edhe më të shpeshta në të ardhmen, pasi bëhet fjalë për të shpëtuar jetë njerëzish. Sezoni i plazhit po afron, ndaj dhe ky trajnim e licensim i këtyre njerëzve vjen në momentin e duhur, që të jenë gati me sezonin veror, duke qenë të parët që do të rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar jetën e të tjerëve, ndaj për këtë duhen përgëzuar e vlerësuar.
Të gjithë ne duhet të japim kontributin tonë për të promovuar dhe mbështetur këtë Federatë, që të shtojmë kullat e vrojtimit në plazhet tona dhe për t’i bërë ato sa më të sigurta. Ndaj përgëzoj Federatën për punën e mirë që po bën, në shtimin e numrit të vrojtuesve duke na bërë të gjithëve të ndihemi më të sigurtë.
Ju faleminderit!